LajmeTe gjitha

Qeveria ul shpenzimet për ndihmën ekonomike

Shpenzimet për fondet e ndihmës ekonomike pësuan ulje me 3.8% në tremujorin e parë të 2018 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 prej skemës së re të shpërndarjes që nëpërmjet një klasifikimi të ri përjashtoi me qindra familje nga skema.

Reagimi i familjeve të përjashtuara, një problem i njohur tashmë edhe në opinionin publik, është reflektuar edhe në fondet buxhetore të cilat kanë rezultuar me kursim gjatë periudhës janar-mars 2018. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për tremujorin e parë, u shpërndanë si ndihmë ekonomike për familjet e varfëra 4.4 miliardë lekë me një kursim prej më shumë se 1.3 milionë eurosh në krahasim me vitin e kaluar.

Aplikimi i sistemit të ri informatik në ndarjen e ndihmës ekonomike ka krijuar konfuzion dhe, në shumë raste, ka përjashtuar shtresat vulnerabile nga kjo ndihmë, e cila edhe për familjet përfituese është shumë më e ulët se minimumi jetik në vend.

Problematika u referua në Kuvendin e Shqipërisë nga Avokati i Popullit, sipas të cilit sistemi për përfitimin e ndihmës ekonomike duket se ka krijuar konfuzion dhe shqetësim të madh për qytetarët.
Sipas familjeve në nevojë, problemet fillojnë që nga përjashtimi në mënyrë të padrejtë nga ndihma ekonomike deri tek ulja e shumës së parave në shifra qesharake. Për familjet, me të ardhura minimale për jetën, ndihma ekonomike është i vetmi burim financiar për të përballuar shpenzimet e jetesës.

Ajo që përbën një problem kryesor dhe lehtësisht të evidentueshëm, sipas Avokatit është se: masa e ndihmës ekonomike është shumë e ulët dhe thuajse e papërfillshme në raport me shpenzimet mujore më të domosdoshme që i duhen familjes, ose një individi të vetëm për të mbijetuar, e jo më pastaj për të konsideruar për dinjitet dhe integrim në shoqëri.

Për shkak të një politike shtrënguese fiskale kur shpenzimet sociale janë racionalizuar është prekur edhe fondi i ndihmës ekonomike, i cili është ulur ndjeshëm në raport me vitet 2013-2014.
Në tremujorin e parë të këtij viti, shpenzimet e qeverisë për ndihmën ekonomike janë 32% më të ulta se në mandatin e parë të vitit të parë te qeverisës së maxhorancës./monitor.

Show More

Related Articles