Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga projekti i portit më të madh turistik të Mesdheut, në Durrës.

Rama theksoi se dje u hodh një hap vendimtar me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit.

Ky Memorandum hap rrugën drejt procedurës parlamentare për kontratën historike për ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës.

“Mirëmëngjes dhe me kënaqësinë e hedhjes së një hapi vendimtar dje, me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, që hap rrugën drejt procedurës parlamentare për kontratën historike për ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës, falë një investimi prej mbi 2MLD USD, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Dje u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit, midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori e zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”, për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”.

Ky projekt, i cili mori statusin e investimit strategjik do të zhvillojë e rijetësojë qytetin e Durrësit, duke ndërtuar një port me kushte moderne dhe luksoze, për të ofruar për herë të parë një lloj të ri turizmi në Shqipëri.

Së bashku me portin, do të ndërtohet një zonë e re rezidenciale si dhe shërbimesh të një turizmi bregdetar elitar. Me këtë projekt, teksa porti tregtar i Durrësit zhvendoset në zonën e Porto Romanos, porti i ri që do të ndërtohet do të përqendrohet vetëm tek turizmi dhe shërbimet e këtij sektori.

Një investim prej 2 miliardë eurosh dhe që ofron 12 mijë vende të reja pune, ndikimi në ekonomi dhe në turizëm pritet të jetë shumë i prekshëm e pozitiv.

Porti i ri turistik i Durrësit e ngre turizmin shqiptar në një nivel të ri, si dhe i përshtatet strategjisë së qeverisë për transportin detar, ku përfshihen shumë plane dhe investime për të përmirësuar infrastrukturën e porteve në vend./ATSH

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.