Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot punën e jashtëzakonshme që është bërë me pastrimin e territorit gjatë këtij sezoni turistik.
Në Forumin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonomisë Qarkulluese, Rama veçoi disa prej bashkive të cilat janë angazhuar më shumë në drejtim të pastrimit të territorit.
“Dua të përmend Himarën si histori suksesi dhe nuk do çuditesha fare nëse kryetari i bashkisë nuk do të ishte këtu, sepse ka qenë gjithmonë prezent kur ka ‘ngrënë dru’ publikisht. Himara është një shembull i jashtëzakonshëm i zgjimit të befasishëm nga gjumi të kryetarit të bashkisë dhe i një pune që duhet marrë shembull. Kjo tregon se sa e rëndësishme është që secili të bëjë punën e vetë dhe të ndërtohet një raport pozitiv me të gjithë komponentët në territor”, tha Rama.
Këtë, sipas tij, e ka bërë e para bashkia e Lezhës për të vijuar me Pogradecin që ka qenë një zonë për të ardhur keq në aspektin e konfliktit vizual mes mrekullisë së natyrës dhe plehrave të mbetura rrugëve.
“Sot Pogradeci është pasqyrë e pastërtisë. Kamza po ashtu nga shëmbëlltyra më dramatike e pisllëkut. Po ashtu Gjirokastra dhe Elbasani. Në Elbasan jo thjesht falë impiantit të ndërtuar atje, u hoq gjithë fusha e plehrave nga qyteti dhe iku dhe reja e zezë e tymit të djegies së tyre të përditshme, por edhe falë organizimit dhe shtrirjes së pastrimit në gjithë territorin e bashkisë”, shtoi Kryeministri.
Kryeministri falënderoi gjithë kryetarët e bashkisë që dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për suksesin e këtij sezoni në aspektin e pastërtisë, ndërsa shprehu bindjen se kjo do të shërbejë si inkurajim për më tej.
“Kryetari i bashkisë së Shkodrës nuk është këtu, por shohim se ka një përpjekje dhe ndryshim në qasje edhe pse situata e pastërtisë është ku thërret qameti, por përtej çdo gjëje tjetër, e vërteta është e vërtetë dhe duhet thënë”, tha ai./ATSH