Opinion

‘Raporti sekret për vrasjen e Azem Hajdarit’, reagon Rudina Hajdari

Deputetja e PD-së në Kuvendin e Shqipërisë, Rudina Hajdari ka reaguar në lidhje me lajmet se është zbuluar një raport sekret i SHISH që ka të bëjë me vrasjen e babait të saj, ‘Pishtarit të Demokracisë’, Azem Hajdari.

Reagimin e saj, Rudina Hajdari e drejton ndaj gazetës Panorama që ka publikuar shkrimin për këtë raport.

Sipas deputetes së PD-së, që në nisje, artikulli duket se është një porosi nga lart.

Reagimi i plotë i deputetes së PD-së, Rudina Hajdari:

Pyetja e parë që më lindi kur lexova artikullin “Zbulohet Raporti Sekret i SHIK në 98: Konflikti mes Azem Hajdarit e Haklajve për hasmëri dhe trafik armësh” të datës 10 Qershor, 2018 ishte “Kush qenka ky që merr përsipër të artikulojë të tilla gënjeshtra?”.

Pra, pas gati 20 vitesh, ky dokument “top sekret” dhe ky titull që vulos vrasjen e Shekullit, siç e ka quajtur me të drejtë shkrimtari Ismail Kadare, i dhënka “dritë” një gazetar që mban emrin Erald Deliu. Për kuriozitetin tim e kërkova në Google duke pritur të zbuloja një gazetar të mirënjohur, që më paska rrëshqitur, i cili bën këtë zbulim kaq të madh ekskluzivisht për gazetën “Panorama”.

E për çudi ai ishte një djalë i ri, pa imazh publik në gazetari, që i kishin dhënë përsipër këtë detyrë kaq të madhe për shpatullat e ti. Në raste të ngjashme, në gazetarinë e vendeve perëndimore, gazetarët e mirënjohur presin tërë jetën t’u jepet mundësia për të shkruar një artikull të tillë, i cili minimalisht duhet të mbajë emrin e kryeredaktorit apo të zëvendës kryeredaktorit, apo mbetet anonim në rastet kur artikulli është shumë sensitiv dhe përben rrezik.

Pra, duke u nisur vetëm nga ky detaj i thjeshtë, kupton se ky nuk është një nga ato rastet që mediat po raportojnë një informacion të rëndësishëm në interes të opinionit publik, siç kemi parë të ndodhë në vende të tjera, ku gazetaria merret seriozisht.

Ky është një rast tipik i servirur nga bodrumet e disa individëve, që luajnë “topa djegësi” me njëri-tjetrin. Ky grup njerëzish fabrikon informacione “Sekrete”, “Ekskluzive”, “Konspirative” për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Qëllimi i tyre është që t’ia ushqejnë publikut këtë fabrikim deri në ngopje me shpresën se ky informacion i paqenë do të transformohet dhe do të përceptohet si e vërtetë e dukshme për publikun dhe pikërisht për këtë ata paguhen poshtë tavolinave.

Përveç kësaj, le të marrim si të vërtetë rastin se ekziston një dokument i tillë “Top Sekret”. Atëherë si ka mundësi që kjo gazetë serioze publikon një dokument që komprometon një dosje gjyqësore? A është mënyra e duhur për t’u sjellë në të mirë të publikut në momentin që ky dokument synon të ndikojë mbi procesin gjyqësor dhe nuk e respekton atë, duke dhënë informata që nuk duhet të publikohet në gazetë por në një sallë gjyqi?

Këto prova të reja duhet të sillen nga avokati i të pandehurit, prokuroria dhe gjyqtari duhet të bëjë gjykimin duke ndjekur me rigorozitet çështjen dhe të marrë vendim të pandikuar nga opinionet publike apo nga ndikime të tjera të jashtme.

Pra, me pak fjalë ky dokument nuk i shërben opinionit publik nëse ai dëmton një vendim të gjykatës. Opinioni publik ka të drejtë të ketë akses në një drejtësi të pavarur dhe që punon pa ndikimin e mediave apo politikanëve. Nëse drejtësia nuk i shërben publikut, atëherë kujt i shërben?

Fatkeqësisht, disa nga gazetarët tanë janë lajkatarë që shumëfishojnë dafinat dhe komplimentat për politikanët tanë në mënyrë indirekte dhe ky lloj servilizmi gjithmonë kthehet në tradhti në momentin që gazetari apo analisti shikon një rrezik përpara. Me pak fjalë, ky është kodi i komunikimit të tyre me politikanët, në mënyrë që të rrisin influencën e tyre apo të arrijnë qëllimet e tyre. Ky është realiteti i trishtë, për sa kohë kemi përballë një tufë mediokrësh që shpesh e shesin veten për të zgjuar por nga tjetër janë komplet të dominueshëm herët a vonë.

Konkluzioni im për këtë artikull është ky se përveç se është një artikull keqdashës, me qëllime të dukshme për egoizmin apo egërsinë e disa individëve, është një shfaqje e shëmtuar që nuk mbron sovranin, por e keqdrejton dhe e mashtron atë. Historia që artikulli përpiqet të tregojë nuk i shërben askujt. Për fat të mirë koha ka dy duar, me një dorë ajo përmbys dhe me një dorë ndërton Nëse ka një gjë që e mat veprën e një individi, që mundohet të ndërtojë të ardhmen e vendit është vetë-sakrifica. Heroizmi i çdo individi i ka rrënjët në vyrtytin e sakrificës dhe vendosjen e interesit të tjerëve para interesit personal, në të mirë të shumicës, apo në të mirë të vendit. Ky njeri për shumë shqiptarë ishte dhe vazhdon të jetë Azem Hajdari, që dha jetën për demokracinë e Shqipërisë.

Show More

Related Articles

%d bloggers like this: