Policia e Sarandës ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e vrasjes së 41-vjeçarit Klodian Bakiaj.
Ai është një 24-vjeçar nga Laçi me inicialet Xh.T., i cili pas një sherri për motive banale ka qëlluar me thikë 41-vjeçarin duke i marrë jetën.
Shërbimet e policisë po vijojnë punën për kapjen e autorit ndërkohë që grupi hetimor po po vijon këqyrjen e provave për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sarandë/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë, ku dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, një shtetas, si pasojë e dëmtimeve me mjete prerëse ka ndërruar jetë, në spitalin e Sarandës, ju informojmë se:
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 24 vjeç, banues në Laç.
Shtetasi Xh. T, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, në lagjen nr.1, Sarandë, ka goditur me mjete prerëse shtetasin K. B., 41 vjeç, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marrë, ka ndërruar jetë në spitalin e Sarandës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë punën intensive për kapjen e autorit të dyshuar.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.