Tetë shqiptarë u arrestuan nga Policia e Trentos në Itali si pjesë e një rrjeti të trafikimit dhe shpërndarjes së drogës ku bënin pjesë 38 persona. Hetimet në kuadër të operacionit të koduar “Shqiponja e Bardhë” kanë zbardhur aktivitetin e grupit kriminal që fshihte lëndën narkotike në dyshemetë e dyfishta të automjeteve të tonazhit të rëndë duke shmangur kështu kontrollet e policisë.
Një rrjet i gjerë i trafikut të drogës është goditur nga policia italiane e cila ka vënë në pranga 38 persona mes të cilëve edhe 8 shqiptarë e 1 kosovar. Ata u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Trentos në Itali, në operacionin e koduar “Shqiponja e bardhë”.
Rrjeti i trafikut funksiononte i ndarë në dy grupe, njëri i formuar kryesisht nga shtetas shqiptarë të cilët operonin në këtë provincë, ndërsa i dyti përbqëhej nga afrikano-veriorë të cilët importonin lëndë narkotike nga Belgjika dhe Holanda.
Grupi i shqiptarëve sipas hetuesve ka pasur rol në marrjen e sasinë e drogës nga zona e Milanos dhe e shpërndarjen e saj në sasi të mëdha në tregje e pakicës në Trento, ndërsa kokainën e blinin në një rajonin e Campanias e më pas e transportonin në zonën ku vepronin.
Gjatë ekzekutimit të urdhërave të arrestit, policia nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit bëri të mundur sekuestrimin e 3 kg kokainë, 1 kg heroinë sasi marijuane e hashashi, e më pas në fazën ekzekutive të operacionit u kap 1 kg kokainë, 32 mijë euro cash, një orë dore luksoze e sasi tjera hashashi.
Aktiviteti kriminal i personave të arrestuar është zbardhur duke mbajtur anëtarët e bandës nën vëzhgim.
Në këtë mënyrë agjentët e policisë mësuan mënyrat e transportit dhe fshehjes së drogës nga korrierët e këtij rrjeti, të cilët duke përdorur makina të mëdha e fshehnin lëndën narkotike brenda fundeve të dyfishta që hapen me telekomandë të krijuar posaçërisht për të shmangur kontrollet nga forcat e rendit.