OpinionTe gjitha

Shkrimi ka të bëjë me një nga titanët e futbollit Vlonjat dhe atij kombëtar

Botuar sot në gazetën “Telegraf” me rastin e 60 vjetorit të lindjes së legjendës së futbollit vlonjatë Vasil Ruci. Tre 7-ta kishte bota, Kigan, Ruci, Pompivoda. Ky shkrim ka të bëjë me një nga titanët e futbollit vlonjatë dhe atij kombëtar në vite, për Mjeshtrin e Madh të futbollit Vasil Ruci, i cili sot mbushi 60 vjet nga dita e tij e lindjes. Të flasësh dhe të shkruar për të Madhin Vasil Ruci nuk është e lehtë, pasi duhet të jesh bashkëkohës i tij, ta kesh ndjekur atë në karrierën brilante futbollistike dhe të kesh përjetuar emocione të papërsëritshme. Vasil Ruci i përket atij brezi të artë të futbollistëve vlonjatë që tronditën botën shqiptare dhe e shkruan emrin e Flamurtarin në Europë si ekipi që bëri çudira, po të kemi parasysh kohën kur zhvilloheshin ngjarjet dhe izolimin makutërik të regjimit të kaluar. Në rrugicat e Vlorës dhe në brigjet e rërëta të plazheve të saj do të dukej një djalosh i talentuar, i cili e lodhte topin derri sa të dy u bënë shokë të pandarë. Këmbët magjike të Vasil Rucit do të rriteshin shpejtë dhe aty nga pjesa e dytë e dekadës së viteve ’70 në fushat e blerta do të spikaste një talent që premtonte shumë. Vasil Ruci nuk kishte durim sa të futej në ekipin e parë të Flamurtarit, ekip në të cilin kishin kaluar breza të tërë futbollistësh të talentuar, që nga Vasillaq Ndini e deri tek ylli Mexhit Haxhiu, nga Nako Saraçi e deri te Shemsi Zilja, nga Beniamin Nelaj e deri te Edmond Liçaj, nga Leonidha Çurri e deri te i vëllai Spiro Çurri, që nga Agron Sulaj e deri te Pano Xhaho etj, etj futbollistë që e ngritën lartë emrin e Flamurtarit tonë. Por futja e Vasil Rucit në ekipin e Flamurtarit ishte si futja e një meteori në atmosferën e tokës, shkëlqimi i të cilit do të vazhdonte gjatë. Pas të madhit Mexhit Haxhiu vlonjatët dhe tifozët shqiptar në përgjithësi kishin rastin të shijonin një nga sulmuesit më agresiv që mbiu në fushat e blerta, një nga goditësit më të shkëlqyer të pozicioneve standarde të topit, një nga dribluesit më hipnotizues të mbrojtjeve mike, një nga shënuesit më ekzotik në portat kundërshtare, tmerrin e portierëve. Nuk kisha dëgjuar kurë më parë thirrje të tilla në stadiumin Flamurtari për një futbollist siç dëgjoja për Vasil Rucin. Korri thërriste: “Vasil, Vasil, ti je bota”. Aq shumë u fut në zemrat e tifozëve kuq e zi ky futbollist i madh sa që çdo ditë, çdo javë tifozët binin në gjumë me emrin e tij në gojë dhe zgjoheshin nga gjumi po me emrin e tij. Në çdo ndërmarrje dhe qendra prodhimi flitej për Vasil Rucin dhe Flamurtarin e madh të atyre viteve. Vasil Ruci mbante në fanellën kuq e zi numrin 7 në shpinë, një numër që u bë simbol i shënuesit brilant, një numër që u dashurua nga çdo fëmijë vlonjatë që ëndërronte të bëhej futbollistë.

Mjeshtri Vasil Ruci nuk do të mjaftohej me stërvitjen e rregull që ekipi i Flamurtarit bënte çdo ditë. Pas stërvitjes me ekipin, ai do të qëndronte akoma në fushën e blertë duke mprehur shënjestrën e goditjeve standarde, aq sa u bë një nga goditësit e rrallë të faulleve, ku portierëve të njohur u dridheshin leqet e këmbëve kur përpara topin ndodhej mjeshtri Vasil Ruci. Sa a sa gola nga pozicionet standarde ka shënuar ky magjistar i topin në karrierën e tij. Sa e sa portier kanë ndjerë dhe provuar peshën e golave të tij. Sa rrjeta janë tundur nga topat e goditur nga këmbët e tij. Vasil Ruci i përdorte shkëlqyeshëm të dyja këmbët dhe kokën, çka do ta bënte atë sulmuesin për të frikshëm të portave kundërshtare. Në vitet kur Vasil Ruci luante futboll me Flamurtarin, në skenat e futbollit evropian do të shfaqeshin edhe futbollistë të tjerë të talentuar që mbanin në shpinë numrin 7 dhe që dalloheshin për goditjet standarde. Dy prej tyre bënë emër në ato vite, siç ishin britaniku Kigan dhe sllavi Pompivoda. Tifozët vlonjatë nuk do të përtonin tu vinin të dyve atyre dhe Vasil Rucit vargjet e bukur që të ngjallin edhe sot nostalgjinë e atij futbolli. “Tre shtaç ka sot bota/Kigan, Ruci, Pompivoda”, këndohej rrugëve, stadiumeve dhe shesheve të Vlorës për të madhin dhe tjetër legjendën e Flamurtarit Vasil Rucin. Por vitet ’80 do të dëshmonin me të gjitha madhështinë e tyre talentin e këtij futbollisti të madh dhe të ekipit të tij të zemrës Flamurtarit të madh gjithashtu. Në qiellin e Vlorës u pozicionuan yje të mëdhenj të futbollit si, legjendarët Kreshnik Çipi, Anesti Arapi, Petro Ruci, Rapo Taho, Përparim Lushaj, Roland Iliadhi, Alfred Ferko, Alfred Ziaji, Latif Gjondeda, Vasil Ziu, Agim Bubeqi, Viktor Daullja, Vasil Ruci dhe Sokol Kushta. Një galaktik yjesh që do ti kishin zili të gjitha klubet e Europës. Me Vasil Rucin dhe yjet e tjerë Flamurtari i Vlorës do të bënte epokë në vitet ’80, ku në Kupat e Europës do të tregonte realisht kapacitetet e tij futbollistike. Një ekip i mbushur me yje vështirë se do të shfaqet më këtyre anëve, por nostalgjia për ata titan nuk do të shuhet kurë. Flamurtari përball Barcelonës së madhe në shtatorin e vitit 1986 në Vlorë. Titani Vasil Ruci mposht portierin zë-madh Zubizareta me një gol në fluturim. Stadiumi shpërthen, komentatorët sportiv në ekstazë të plotë, gazetarët nuk dinin si ta nisnin komentin nga emocionet e forta. Mediet botërore kishin ditë të tëra që paralajmëronin për Kometën Hallej në afërsi të Tokës dhe njerëzimi po mbante frymën. Në muret e qytetit të Vlorës u shfaq të nesërmen një pllakat urimi për Flamurtarin dhe Vasil Rucin, në të cilën shkruhej: “Portierit Zubizareta/ iu prishën nervat e qeta/ kur kthehu kokën nga rrjeta/ kujtoi se ra kometa”. Por Vasil Ruci nuk do të ndalej këtu, ai do ti shënonte Barcelonës edhe në Spanjë gjatë vitit ’97 në përballjen e tretë të tyre, pasi e dyta ishte mbyllur me rrjeta të paprekura në Kamp Nou dhe e katërta në Vlorë në favor të Flamurtarit 1-0 me atë super gol të legjendarit tjetër Sokol Kushta. Në të gjitha përballjet e Flamurtarit në Kupat e Europës Vasil Ruci do të shënonte kundër suedezëve, kundër polakëve, pa llogaritur ekipet e kampionatit shqiptar si Dinamo, Partizani, 17 Nëntori, Vllaznia etj, portierët e të cilave do të provonin peshën e golave të Vasil Rucit. Sot në këtë 60 vjetor të lindjes së tij ne urojmë me nostalgji Vasil Rucin legjendën vlonjate të futbollit të viteve ‘80, heroin e çdo fëmije dhe mbretin e topit. Edhe 100 vite të tjera jete të lumtura mjeshtër, duke dhënë përvojën e tënde për të nxjerrë nga Vlora të tjerë futbollistë të mëdhenj për dinjitetin e Flamurtarit dhe të ekipit Kombëtar Kuq e Zi. Çlirim Hoxha.

Show More

Related Articles