Fluksi i prurjeve nga turistët e huaj në vendin tonë ka shënuar shifra rritje duke regjistruar vitin më të mirë historik të turizmit.

Banka e Shqipërisë publikoi raportin mbi bilancin e pagesave, ku shihet se shpenzimet e të huajve në Shqipëri në 6 muajt e parë të vitit arritën në 1.13 miliardë euro, me një rritje prej 64% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas BSH-së, gjatë kësaj periudhe në vendin tonë u rritën edhe prurjet valutore të të huajve që shënuan rritje me 32%.

“6 muajt e parë të 2022-t shënuan dhe nivelin më të lartë historik, që kur Banka e Shqipërisë raporton këto të dhënat. Tendenca pritet të vijojë, pasi të dhënat e INSTAT tregojnë se hyrjet e të huajve kanë kulmuar në muajt e verës. Nga jugu në veri, turistët e huaj kanë qenë të shumtë në numër këtë sezon”, bën të ditur BSH-ja.

Që në tremujorin e parë të vitit, shpenzimet e të huajve në Shqipëri e tejkaluan me 17% nivelin e 2019-s, ndërsa në të dytin zgjerimi ishte dhe më i fortë me bazë vjetore, me 43%.

Sipas INSTAT, në 6 muajt e parë të vitit në vend hynë rreth 2.5 milionë shtetas të huaj, me rritje 16.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s./ATSH

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *