Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit krahas masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e sezonit turistik, vijojnë kontrollet e pandërprera, me qëllim goditjen e paligjshmërisë, në çdo formë të shfaqjes së saj.
Kështu shërbimet e Policisë Kufitare në Durrës, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të paligjshme të evidentuara në kufi, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Intensive”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit: A. H., 63 vjeç, banues në Zvicër, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”; A. M., 25 vjeç dhe R. G., 20 vjeç, banues në Kosovë, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi A. H. transportonte me automjetin e tij, shtetasit A. M. dhe R. G., me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror, si dhe se shtetasit A. M. dhe R. G. tentuan të kalonin kufirin me pasaporta të falsifikuara.
Policia gjitihashtu goditi edhe 1 rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Intensive”, u referuan materialet si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. Xh., 37 vjeç, banues në Mbretërinë e Bashkuar, sepse gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në automjetin që ky shtetas drejtonte, u gjetën 14900 paund dhe 500 euro, të padeklaruara në organet përkatëse, sipas përcaktimeve ligjore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./ATSH