LajmeTeknologji

“Tre ditët e Yllit të Mëngjesit”

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në eventin “Tre ditët e Yllit të Mëngjesit”, në kuadër të Vitit të Skënderbeut:

I nderuar zoti President i Republikës!

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit!

Fort të nderuar Shkëlqesi, Hirësi, miq e të ftuar dhe shumë të dashur vëllezër e motra të ardhur nga Italia arbëreshe!

Është aspak e lehtë të marrësh fjalën, në një moment kaq emocionues dhe pas një kolane dëshmish kaq të forta dhe domethënëse që tejçojnë te të gjithë ne, dimensionin krejt të veçantë të ngjarjes të cilës kjo përpjekje e jona i kushtohet përgjatë gjithë këtij viti dhe sot dhe në dy ditët në vijim këtu në këtë hapësirë të krijuar posaçërisht si fillimi i një kremtimi të madh.

Sapo dëgjuam mesazhin që Papa Françesku u ka dërguar të gjithë shqiptarëve për këtë vit jubilar.

Tek e falënderojmë Atin e Shenjtë për fjalët me të cilat na përshkruan, si tokë dhe si komb, nuk mund të mos ndjejmë një krenari të përligjur për të gjithë ata që, siç thuhet, shkruhet, përçohet në mesazhin e tij, luftuan për pavarësimin e këtij vendi dhe po ashtu vuajtën sakrifica të panumërta për lirinë.

Krenari për faktin gjithashtu që një autoritetit i tillë moral i përbotshëm na sheh dhe na përkufizon, si një shembull hapjeje dhe mirëkuptimi, pikërisht në këtë moment kur ne të gjithë së bashku, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe të Presidentit të Republikës së Kosovës përkujtojmë një figurë kaq kyçe, më të rëndësishmen e historisë tonë kombëtare.

Të tilla përkujtime, jo rrallë herë i shtyjnë popujt, kombet, vendet, shtetet të mblidhen së bashku dhe të kapërdijnë plot kafshata identitare apo brume të pazëna nacionalizmi që sjellin veç pezëm në mes tyre dhe tek të tjerët.

E njëjta dukuri nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë nën shenjën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e cila, përpara se të jetë simboli i mëvetësisë apo ikona e shtetndërtimit në shekuj ndër shqiptarët, mbetet para së gjithash një forcë e jashtëzakonshme tërheqëse emancipimi dhe europianizmi.

Shenja e Skënderbeut, përpara se t’i flasë bashkësisë mbarëkombëtare në tërësi, kudo ajo ndodhet dhe jeton mes popujve të tjerë, i flet si forcë e një shembulli të rrallë vendosmërie dhe gjykimi të lirë individit, çdonjërit prej nesh.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk na është dhuruar si një shenjt, i cili në lavdinë e altarëve pret në shenjtninë e tij tufën e atyre që e nderojnë dhe devotshmërinë publike pa kushte.

Ka një madhështi shumë të qetë dhe gjithmonë tërheqëse tek Skënderbeu i pashfaqur, gjithnjëherësh Skënderbe i pafan, siç e ka quajtur Jeronim de Rada, tek ai Skënderbe autentikisht i përvuajtur, por asnjëherë i përulur, që vetë cilësohej si një zotëri në një vend të vogël e të varfër, por ku synonte të mbahej me këmbët e veta dhe jo me lëmoshën, apo famën e rreme të kësaj bote.

Kronistët e qëmotshëm dhe studiuesit e sotëm bien dakord, pothuajse të gjithë, mbi faktin që përpara se të godiste nëpërmjet shpatës, Gjergj Kastrioti tejçonte një fuqi karizmatike që i imponohej, si të thuash, të gjitha shqisave.

Oratori i dukeshës së Mantovës në Romë, tek e sheh për herë të parë në dhjetorin e 1466-ës ngutet të raportojë jo fjalët, por imazhin që ju gdhend në kujtesë. Një burrë i moçëm, jo i kapardisur, me një dinjitet të sigurtë që kurrfarë gjëje nuk i detyrohej pozave solemne, apo veshjeve të çmuara.

Në fillim të kësaj ceremonie, kronikat që u lexuan u shoqëruan hijshëm nga një pjesë muzikore që shumë prej jush e njohin.

Kjo pjesë, kompozuar pak a shumë në kohën kur botimet dhe gravurat mbi Skënderbeun arritën apogjeun e tyre në Europë, është edhe lajtmotivi i një prej filmave më të arrirë të shekullit XX.

“Të mirë apo të këqij, të bukur apo të shëmtuar, të pasur apo të varfër, të gjithë personazhet që jetuan dhe u grindën, – thuhet në mbyllje të këtij filmi, – janë tanimë të barabartë”. Të barabartë përpara vdekjes, por jo të barabartë në të nesërmen e saj.

“Në sosjen time është zanafilla ime”, thoshte mbretëresha e Skocisë, Mari Stjuart, teksa jepte shpirt nën instrumentin fatal të xhelatit.

Tek kalon denjësisht në amshim, në heshtjen e armëve dhe të bombardave, pa hingëllima kuajsh, apo trokëllima shpatash, Gjergj Kastrioti Skënderbeu del nga kronikat dhe hyn në histori.

Disa duan me patjetër ta shfaqin në dialogje postmortem me themeluesit e idesë europiane, siç është rasti me Sharlmanjin në një libër të 1816-ës. Më të suksesshmit janë në të vërtetë ata që për ta bërë të dukshëm dhe të përçueshëm e kthyen nëpërmjet imazhit, në ndërmjetësin e një ideje të caktuar dhe të mishëruar të lirisë, dinjitetit njerëzor dhe epërsisë intelektuale të çdo njeriu, të shquar, apo anonim, i cili jeton me parimin se nuk është rob i fatit, por mik i virtytit.

Portretet e tij në gravurë, apo pikturë që mbajtën gjallë kujtesën e një heroi atipik, qoftë edhe për shekullin XV, e paraqesin në pjesën e tyre dërrmuese në petkat e një njeriu të urtë e të ditur, të krahasueshëm për nga paraqitja me Erazmin e Roterdamit, apo me Tomas Morin.

Thua se, medoemos, për ta bërë të tyrin, artistët dhe artizanët europianë, publicistët, apo romancierët donin ta konsideronin parësisht si njërin prej tyre, si një humanist, një mishërim urtësie dhe gjykimi të lirë, si një gjymtyrë lidhëse të shpirtit europian.

Përpara se të rivishte armurën dhe të kalëronte sërish për fatin tonë në ballë të lëvizjes për Pavarësi, si simbol i saj i pacenuar, Skënderbeu, sërish për fatin tonë si shqiptarë dhe europianë gjalloi në arte, gjalloi në kulturë, gjalloi edhe në mjeshtëri për shekuj të tërë, si i urtë mes të urtëve, në aeropagun e personaliteteve që e farkëtuan Europën dhe qytetërimin të cilit i përkasim.

Me Gjergj Kastriotin, shqiptarët, kudo që ndodhen, kanë një histori të vërtetë dashurie, prej së cilës asnjë bëmë dhe asnjë gjëmë nuk mund t’i ndajë. Histori objektive gjithmonë në zbulim dhe hartim, jeta dhe vepra e Skënderbeut është, në sensin më fisnik të fjalës, një histori suksesi dhe një vizion ardhmërie.

Histori sa e lidhur me gjithë përpjekjen hulumtuese, të studiuesve, aq edhe me ndjenjat dhe frymëzimet e çdo njeriu qoftë edhe më të pakënduarit. Një histori suksesi, mirëfilli e lidhur me ndjesinë, me perceptimin, me shqisat.

Nëse Heroi ynë kombëtar është studiuar dhe vazhdon të studiohet e të hulumtohet në pothuajse çdo aspekt të tijin, labirintet e mënyrës se si është ndjerë apo perceptuar ai ndër breza, ndër shqiptarë e të huaj, mbeten gjithmonë një e njohur, e panjohur, para së cilës të gjithë ndjehemi profanë.

Profan është edhe Shteti, i cili kur flitet për shkencë dhe mjeshtëri, fjalën duhet t’ua lërë atyre të cilët janë të përligjur të flasin. Larg debateve, kakofonisë së kryqëzimit të armëve verbale, Shteti ka një mision ndoshta më të vështirë; të krijojë hapësirën që ata që duhet të flasin dhe kanë çfarë të thonë e të mund të dëgjohen të rimblidhen me përulësi, por jo pa shkëlqimin që i takon një figure aq themelore për të gjithë ne, copëzat e pasqyrës së thyer të imazhit të Skënderbeut.

Këto copëza, përbëjnë galerinë e të gjithë trajtave, në të gjithë mediumet e mundshme, nëpërmjet të cilëve na vjen sot e gjithë ditën, çka Paolo Giovio shquante si imazhin e vërtetë të heroit.

A është i papërkufizueshmi imazh i Gjergji Kastriotit Skënderbeut, portreti që sot do të shfaqet për herë të parë dhe që fsheh ndoshta brenda tij misterin e penelatës së parë të Gentile Bellini-t?

A ishte Skënderbeu, më i ngjashëm me një tjetër portret të rrallë që sot i propozohet publikut, përmes këtij eventi, apo me shëmbëlltyrat që shfaqen në tablotë e shumë artistëve shqiptarë?

Unë gjykoj se nëse ka një terren, ku shtegu është i lirë për një përjetim krejt personal, ku të pasur apo të varfër, të moshuar apo të rinj, studiues apo dyshues, jemi të gjithë të barabartë, është pikërisht qasja dhe përsiatjet ballë për ballë me imazhet dhe objektet.

Përjetimi personal, për të qenë i frytshëm, kërkon të rrokë subjektin e kundrimit me instrumente të kohës dhe mundësisht ndërveprues.

Për herë të parë, përkujtimi i figurës së Skënderbeut është konceptuar si një itinerar muzeal që nxit sa zbulimin e një vepre apo një artefakti lidhur me jetën apo epokën kur jetoi, po aq edhe dëshirën për të shkuar më larg në njohjen gjithmonë të panjohshme të figurës së tij.

Për ta thënë ndryshe dhe për të mos kornizuar gjithçka ju ofrohet gjatë këtyre ditëve, po përdor një shprehje të thjeshtë latine, që tingëllon si ftesë për të gjithë sata që do të duan apo do të gjejnë mundësinë që të vijnë në këtë hapsirë:“Venite et videte” – ejani dhe shihni.

Për ta mbyllur, po i rikthehem vetëm disa çaste fillimit të kësaj fjale.

Thashë se ishte vërtet emocion dhe kënaqësi që gjendemi sot të gjithë këtu sëbashku dhe ku  150 arbëreshë, të cilët në çdo rajon të Italisë ku jeton trungu më i moçëm i diasporës sonë, kanë ardhur në tokën mëmë, për të nderuar figurën që plazmoi mbijetesën dhe krenarinë e tyre shekullore si arbërorë.

E pra, jemi sot, siç jemi gjithmonë po fatmirësisht dhe për arsye të atij që na ka mbledhur, vëllezër, motra të një gjaku. Shumë prej tyre vinë për herë të parë në Shqipëri.

Ashtu siç jemi munduar të mbledhim me shumë dashuri dhe përkujdesje, copëzat e pasqyrës së thyer të imazhit të Skënderbeut, në të njëjtën mënyrë, jemi përpjekur që te risjellim në vëmendje, për këtë 550 vjetor, bashkësinë arbëreshe.

Shumë dëgjojmë të flitet për to, për komunitetet arbëreshe, por rrallë na takon ti prekim dhe mbase nuk mundohemi mjaftueshëm t’i bëjmë të prekshme.

Këtyre bashkësive, mbarë kombi shqiptar u ka një borxh të madh dhe të pashlyer e mbase të pashlyeshëm; mbajtjen gjallë të figurës së Skënderbeut, jo përmes imazheve, por përmes riteve dhe dokeve tona të kahershme, dikur të këtushme, sot të atjeshme.

Jam i bindur se nga Tirana në Lezhë e nga Kruja sërish në Tiranë, të gjithë së bashku do të mund t’i mirëpresim si miq e si vëllezër dhe si motra, duke nisur kështu me këtë ceremoni modeste dhe me këtë përqafim mikëpritës për ata që kanë ardhur për të sjellë këtu komunitetin arbëresh edhe përgatitjet për Samitin e dytë të Diasporës, i cili në nëntor do të sjellë në Tiranë, të gjithë bijtë dhe bijat e Skënderbeut.

Prandaj të gjithëve atyre që na ndjekin ju them, “Ejani dhe shihni” dhe shpresoj që ky motiv të sjellë drejt këtyre viseve gjatë gjithë këtij viti sa më shumë shqiptarë dhe shqiptare, të cilët i mban larg një arsye apo një tjetër, por i mban lidhur malli i pashuajtshëm për Shqipërinë.

Faleminderit!​

Show More

Related Articles