LajmeTe gjitha

Trump mohon të ketë përdorur gjuhë raciste

Në një koment në Twitter, Presidenti amerikan Donald Trump mohoi të kishte përdorur fjalët, të cilave po i refererohen mediat.

“Gjuha e përdorur prej meje në takimin për DACA-n ishte e ashpër, por jo ajo që thuhet. Në fakt, i ashpër ishte propozimi i çuditshëm i bërë në mbledhje, që ishte një hap i madh prapa për DACA-n”, shkruante Trump.

Presidenti iu referua programit, që mbron nga deportimi rreth 800 mijë emigrantë të rinj, të sjellë në SHBA ilegalisht nga prindërit e tyre kur ishin fëmijë.

Sipas njoftimeve, Presidenti Trump i bëri komentet kur senatori Dick Durbin, demokrat nga shteti Ilinoi, po shpjegonte kuadrin e një marrëveshjeje të arritur nga gjashtë senatorë të të dyja partive, e cila që synon mbrojtjen nga deportimi të këtyre emigrantëve të rinj, si dhe forcimin e sigurisë së kufirit.

Presidenti reagoi në Twitter duke thënë se ai iu referua vendeve me rezultate të këqia dhe se ai kërkon një sistem imigracioni të bazuar mbi meritën, për të sjellë njerëz që e çojnë përpara Amerikën. “Dua siguri për njerëzit tanë, dua të ndalet vërshimi masiv i drogave, dua financimin e ushtrisë, jo si demokratët që kërkojnë t’ia heqin fondet”, shkruante Presidenti Trump.

E pyetur nga mediat, përfshirë Zërin e Amerikës, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë ku thuhej se presidenti do të pranojë vetëm një marrëveshje emigracioni që “trajton si duhet sistemin e llotarisë së vizave dhe emigracionin zinxhir” – dy programe të cilat dëmtojnë ekonominë tonë dhe lejojnë terroristët në vend.” Imigracioni zinxhir është një term i përdorur nga kritikët e imigracionit, të cilët i referohen sistemit që lejon të afërmit të sponsorizojnë anëtarët e familjes për të ardhur në Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë nuk konfirmoi dhe as nuk mohoi nëse Presidenti kishte përdorur fjalën e papërshtatshme kur kishte folur për Haitin dhe Afrikën.

Në deklaratë thuhej gjithashtu se Presidenti Trump gjithmonë do të refuzojë “masat e përkohshme dhe të dobëta që u krijojnë pengesa atyre emigrantëve të cilët kërkojnë një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet një rruge të ligjshme.”

Gjithashtu, Zëri i Amerikës u interesua pranë zyrave të ligjvënësve që thuhet se ishin të pranishëm në takim.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë

Disa politikanë të Uashingtonit zgjedhin të luftojnë për vendet e huaja, por Presidenti Trump gjithmonë do të luftojë për popullin amerikan. Presidenti do të pranojë vetëm një marrëveshje emigrimi që trajton në mënyrën e duhur sistemin e llotarisë së vizave dhe imigrimin zinxhir – dy programe që dëmtojnë ekonominë dhe lejojnë terroristët në vendin tonë.

Ashtu si vendet e tjera që kanë imigrim mbi bazë meritash, Presidenti Trump po lufton për zgjidhje të përhershme që e bëjnë vendin tonë të fortë duke mirëpritur ata që mund të kontribuojnë në shoqërinë tonë, të rrisin ekonominë dhe të asimilohen në vendin tonë të madh.

Ai do të kundërshtojë gjithmonë masat e përkohshme, të dobëta dhe të rrezikshme, që kërcënojnë jetën e amerikanëve dhe pengojnë ata emigrantë të cilët kërkojnë një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet një rruge të ligjshme.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

%d bloggers like this: