Gati 93 % e familjeve shqiptare ngrohin vetëm një dhomë gjatë dimrit, si formë për të kursyer energjinë, ndërkohë që 75% e tyre e reduktojnë ngrohjen edhe pse do të preferonin të ishte më ngrohtë”. Të dhënat i përkasin raportit mbi varfërinë energjetike, të realizuar nga qendra EDEN pas intervistimit të rreth 650 familjeve që banojnë në zonat rurale, të shpërndara në 12 qarqet e vendit.

Sipas të njëjtit dokument, 48.4% e familjeve të përfshira në anketim deklaruan se konsumojnë më pak ushqime dhe pije të ngrohta sesa do të dëshironin, ndërkohë që 69.5% e tyre thonë se përdorin më pak ujë të ngrohtë sesa do të dëshironin.

Paralelisht, mbyllja e dritave në shtëpi, edhe në rastet kur do të donin të ishin ndezur, është një nga format më të shpeshta të kursimit, duke qenë se janë 78% e familjeve kanë deklaruar se ndërmarrin këtë hap, si formë për të kursyer.

Këto të dhëna vijnë në një kohë, kur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë një fushatë në rrjetet sociale, për të inkurajuar qytetarët drejt formave të kursimit të energjisë elektrike.

Sipas ekpertëve, ndërgjegjësimi i qytetarëve është i rëndësishëm, por kjo duhet të ndërthurret me politika për të siguruar eficencë energjie, mirëqënie dhe konfort në banesë. Këtu përfshihet termoizolimi i banesave apo prodhimi i energjisë nga panelet fotovoltaike, teksa shtetet të ndryshme përdorin një sërë politikash lehtësuese e deri në financim të këtyre investimeve, me qëllim stimulimin e tyre.

E vetmja politikë e ngjashme, e bërë publike nga qeveria shqiptare është financimi i 70% të investimit të insalimit të paneleve për ngrohjen e ujit, për 2000 familje, një shifër që përbën vetëm 0.18% të abonentëve familjarë, që kanë një kontratë me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike./Ola Mitre / SCAN

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.