Qeveri e Ramës për mes një VKM-je, do të ofrojë shërbime shtesë ndaj privatëve kundrejt pagesave, duke ofruar policët me orë, si dhe mjete e simbole të Policisë së Shtetit.
Por interesante është që në mesin e këtyre shërbimeve, kujdes i veçantë është treguar për investitorët strategjikë të cilët do të përfitojnë mbrojtje për një periudhë deri në 3 muaj.
Në vendimin e qeverisë thuhet janë të përfshirë edhe këta persona juridikë privatë që kanë përfituar statusin investitor strategjik, me procedurë e veçantë sipas ligjit përkatës.
Mbrojtja e personave juridikë privatë që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik, do të mbrohen nga policia me shërbime shtesë kundrejt 1200 lekë për orë.
Por, nëse justifikohet mbrojtja e personave juridikë publikë që kanë rrezikshmëri në punën e tyre, nuk është e qartë se nga çfarë rrezikohen këta investitorë strategjikë.
Ata janë rregulluar me ligj të veçantë nga kryeministri Rama në vitin 2015 kur prezantoi investitorët strategjikë, si një mënyrë që të thithen investime të huaja në shifra mbi 1 milionë euro, por deri më tani janë thithur vetëm investitorë vendas. Sipas BIRN nga 35 projekte të shënuara si investime strategjike nga viti 2016 deri në vitin 2021, vetëm dy kanë ardhur plotësisht nga jashtë.
Ndërkohë, investitorët vendas janë akuzuar nga shpeshherë në medie, opinion publik dhe nga opozita si njerëz të afërm me Ramën dhe qeverinë.
Rasti më flagrant është ai i bashkëshortit të ministres Olta Xhaçka për të cilën opozita ka kërkuar që t’i hiqet mandati në Kushtetuese, pasi është në konflikt interesi, gjë të cilën ministrja e ka mohuar.
Por pse po bën një ligj të veçantë Rama ku këtyre investitorëve po u jepet një mbrojte nga policia e shtetit? A mos vallë vendi ynë është në luftë dhe kërcënohet jeta dhe aktiviteti i këtyre biznesmenëve? Apo mos vallë klima e të bërit biznes dhe investime në Shqipëri është kaq agresive sa investitorët duhen mbrojtur me polici?
Pse duhet tu vendosë policinë e shtetit në shërbim si polici private kryeministri Edi Rama këtyre investitorëve strategjikë kur janë të ligjshëm dhe në rregull me ligjet e vendit, dhe kur policia ka për detyrë që të mbrojë si qytetarin e thjeshtë ashtu edhe biznesmenët e pronën private?
Pse ky ligj i veçantë?