Shkon në 4 numri i mjeteve lundruese të bllokuara gjatë kësaj jave, nga DVKM Vlorë.
Policia Kufitare e Vlorës ka vijuar kontrollet nga Policia Kufitare përgjatë bregdetit në Vlorë, Sarandë dhe Himarë, në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.
Policia e Shtetit njoftoi sot se, shërbimet e Policisë Kufitare në Sarandë, në vijim të kontrolleve, në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik, kanë konstatuar në plazhin e Ksamilit, një mjet lundrues tip skaf duke lëvizur brenda zonës së kufizuar për mjetet lundruese dhe menjëherë kanë bërë shoqërimin e tij, në portin e Sarandës, për verifikime të mëtejshme.
Drejtuesi i mjetit lundrues tip skaf, shtetasi R. L., 19 vjeç, banues në Ksamil, u ndëshkua me masën administrative 100.000 lekë të rinj, pasi nuk respektoi zonën e kufizuar për mjetet lundruese, si dhe iu bë bllokimi i mjetit lundrues dhe u ndëshkua me masën tjetër administrative 10.000 lekë të rinj, pasi gjatë kontrollit rezultoi pa dokumentacionin përkatës, në bord.
Po në vijim të kontrolleve, në portin e Himarës është bërë bllokimi i një mjeti lundrues tip gomone, pamjet e të cilit janë pasqyruar dhe në rrjetet sociale, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare në Himarë, konkretisht në plazhin e Qeparos, duke lëvizur brenda zonës së kufizuar për mjetet lundruese.
Drejtuesi i këtij mjeti lundrues, shtetasi A. V., 54 vjeç, banues në Qeparo, u ndëshkua me masën administrative 100.000 lekë të rinj, si dhe iu bë bllokimi i mjetit lundrues gomone për 5 ditë.
Gjithashtu po nga shërbimet e Policisë Kufitare Himarë, në plazhin e Jalës, është konstatuar një mjet lundrues tip skaf, i cili gjatë kontrollit ka rezultuar pa dokumentacionin përkatës në bord.
Drejtuesi i këtij mjeti lundrues, shtetasi S. L., 48 vjeç, banues në Himarë, u ndëshkua me masën administrative 10.000 lekë të rinj, si dhe iu bë bllokimi i mjetit lundrues për 5 ditë.