OpinionOpinione

Xhaferi s’është i vetmi, meshkujt që s’e përballuan refuzimin dhe vranë ish-partneret

Vrasja e Xhuljeta Çunit në rrugën “Don Bosko” në Tiranë mëngjesin e sotëm ka risjellë sërish në vëmendje krimet e pasionit.

19-vjeçarja u vra nga ish-i dashuri i saj Xhafer Mata, i cili rezulton se ka qenë i martuar dhe është baba i një djali, por ishte ndarë pak kohë më parë.

Por Xhuljeta nuk është e vetmja femër pre e një krimi për shkak se refuzoi dashurinë e dikujt që nuk e donte.Janë me dhjetëra gra të vrara nga dora e burrave të tyre (jo domosdoshmërish) sepse i kanë refuzuar, nga meshkuj që kanë pasur dyshime për tradhti apo edhe vrasje sepse vajzat u kanë kërkuar të ndahen.

Vetëm dy vitet e fundit kanë ndodhur disa krime të tilla pasioni, që të bëjnë të reflektosh edhe njëherë mbi vendin ku jeton, sigurinë dhe ambientin ku rrit fëmijët e tu. Për fat të keq disa meshkuj “me ego të lënduar” janë shumë të dobët për të pranuar se në jetë ka edhe refuzime duke parë si zgjidhje të vetme ekzekutimin fizik të vajzës që dashuron, e në disa raste edhe të vetes së tyre.

Ngjarja e Xhuljetës ngjason pak me historinë e Ariela Muratit, 21-vjeçares e cila u vra po ashtu nga një 24-vjeçar pak muaj më parë pranë spitalit “Nënë Tereza”. Ariela u vra nga Aldison Beluli, i cili më pas armën e drejtoi edhe ndaj vetes dhe humbi jetën një javë më vonë në spitalin e Traumës. Aldisoni e vrau vajzën në sy të motrës dhe shoqes së saj, kur ajo ishte drejtuar për ta denoncuar në komisariat më 21 janar të këtij viti. Vrasja ishte e paramenduar njëlloj si ajo e Xhuljetës, pasi 24-vjeçari ishte përgatitur për ta vrarë. Aldisoni e kishte kërkuar dorën e Arielës në shtëpi, por refuzimi i saj dhe i familjes së saj bëri që i riu të ndërmerrte aktin e rëndë.

Kur dëgjojmë për krime të tilla pasioni nuk mund të mos na kujtohet rasti i gjyqtares Fildez Hafizi, e cila u vra nga ish-bashkëshorti Fadil Kasemi pasi refuzoi të rikthehej me të. Vrasja ndodhi në gusht të vitit të kaluar në makinën e 39-vjeçares, e cila po përpiqej t’u shpëtonte duarve të vrasësit të saj. Por 53-vjeçari ishte përgatitur mirë për ta ekzekutuar gjyqtaren e Shkodrës dhe e qëlloi atë me një plumb në kokë duke e lënë të vdekur në vend. Më pas u arrestua nga policia pa u larguar shumë nga zona e “Xhamllikut” ku kishte ndodhur vrasja. Në këtë histori ishin të përfshirë edhe fëmijët e mitur të çiftit të cilët ngelën jo vetëm pa prindër por edhe pa një banesë pasi jetonin me nënën e tyre me qera.

I ngjashëm ishte edhe rasti i Liljana Rukaj, 43-vjeçarja e cila u vra nga bashkëshorti i saj në Fier sepse ajo donte të ndahej. Ngjarja ndodhi në dhjetor të 2016 ku Ferdinand Rukaj e hodhi nënën e fëmijëve të tij nga kati i katërt i pallatit ku jetonte. Pavarësisht se gruaja kishte marrë urdhër-mbrojtje ajo nuk ia doli të shpëtonte nga personi që dikur kishte zgjedhur të ishte babai i fëmijëve të saj. 44-vjeçari arriti të mbyllte derën e banjos në apartamentin ku ndodheshin edhe fëmijët të cilët i luteshin ta hapte, duke e hedhur gruan e tij pasi ajo e refuzoi. Ferdinand Rukaj kërkoi gjykim të shkurtuar dhe u dënua me 35 vite burg.

Refuzimin nuk mund ta përballonte as Drini Derveni, i riu nga Fieri i cili vrau të dashurën e tij 29-vjeçare Ermira Dushi (Arapi). Ermira ishte e martuar me dikë tjetër dhe me Drinin kishte lidhje jashtëmartesore por i kërkonte që të ndaheshin. Gruaja jetonte me motrën e burrit në Fier pasi bashkëshorti i saj kishte emigruar në Greqi së bashku me fëmijët dhe prindërit, dhe punonte si shitëse në një dyqan perdesh. Por i dashuri i saj 32-vjeçar, i cili po ashtu ishte i martuar dhe me fëmijë, nuk pranoi dot të ndaheshin dhe e vrau para se të qëllonte edhe veten. Ngjarja ndodhi brenda një makine tip “Jeep” me ngjyrë blu parkuar në afërsi të urës së fshatit Shënpjetër, në shkurt të vitit të kaluar.

Një tjetër krim pasioni është ai i gushtit të 2016, kur Sokrat Shani, 65 vjeç nga fshati Kryekuq i Divjakës vrau në një banesë në Golem, 27-vjeçaren Jonida Canaku, dhe disa ditë më pas vari veten në shtëpinë e tij. Krimi u zbulua nga disa letra që autori kishte shkruar përpara se të vdiste, ku pranonte autorësinë e krimit, dhe tregoi vendodhjen e trupit të viktimës. Sipas të dhënave nga policia 65-vjeçari dhe 27-vjeçarja kishin një lidhje intime prej shumë kohësh. Shani ishte i martuar dhe mbahej si një person me të ardhura të mira ekonomike në fshat. Ai shpesh ndihmonte familjarët e vajzës, por kur Jonida kishte filluar të njihej me dikë tjetër, ai nuk e ka pranuar lidhjen e saj, duke e vrarë në apartamentin e motrës së tij në Golem. Në letrën e tij para se të vetëvritej ai shkruante: “Jonida ndodhet te shtepia e Ludit ne Golem. Ka nderruar jete. Shtepia ndodhet perballe pishines tek hotel P, ne katin e katert. Jonida eshte nga kryekuqi date 14.08.2016.”/JOQ

Show More

Related Articles