Krimi shqiptar fiton terren në Gjermani duke u renditur të tretët pas grupeve gjermane dhe turke. Raporti Federal i Situatës për Krimin e Organizuar për vitin 2021, i publikuar nga qeveria gjermane thekson se në Gjermani janë hetuar rreth 40 banda të udhëhequra nga shqiptarë, shumica dërrmuese e të cilave, është marrë me trafikun e lëndëve narkotike, ndërsa pjesa tjetër ushtron aktivitete të paligjshme në trafik të njerëzve, pastrim parash dhe krim ekonomik.
Në raportin vjetor të qeverisë gjermane për krimin e organizuar 2021 nuk mungojnë grupimet shqiptare të cilat sa vijnë e po duket se po fitojnë terren. Sa i përket shifrave në Gjermani numërohen 40 banda nga Shqipëria dhe 20 të tilla nga Kosova.
Mediat gjëermane raportojnë se falë dëshifrimit të platformave të koduara, është rritur edhe numri i shqiptarëve të organizuar nëpër banda kriminale, të cilët kanë qenë nën hetim për pjesëmarrje në organizata kriminale.
Sikurse edhe në vitet e mëparshme, BKA në raportin e fundit i ka rezervuar një faqe krimit të organizuar të shqiptarëve, prej ku rezulton se në vitin 2021 në Gjermani kanë qenë nën hetim rreth 40 banda të udhëhequra nga shqiptarë, shumica dërrmuese e të cilave, saktësisht 36, është marrë me trafikun e lëndëve narkotike.
Në katër rastet e tjera bandat janë marrë me krime tatimore, trafik ilegal të njerëzve, pastrim parash dhe krim ekonomik.
“Deutche Wele” raporton se kjo shifër i radhit shqiptarët sërish të tretët pas gjermanëve me 261, dhe turqve me 90 për nga numri e grupimeve të dominuara nga një etni. Në vendin e gjashtë janë kosovarët, me 20 banda kriminale, pas rusëve dhe polakëve. Në fund të dhjetë shtetësive më të spikatura janë serbët me 14 banda.
Dëmi ekonomik i shkaktuar nga krimi i organizuar (KO) në Gjermani, në vitin 2021 ka qenë dyfish më i lartë se një vit më parë. Deutche Welle raporton se nga 873 milionë euro në vitin 2020 ai u rrit në 2,2 miliardë euro në vitin 2021.
Raporti Federal i Situatës për Krimin e Organizuar për vitin 2021, i cili u publikua të mërkurën në Berlin nga Ministria Federale e Brendshme dhe Zyra Federale e Policisë Kriminale thekson se të ardhurat e kriminelëve në vitin 2021 kanë qenë 1,4 miliardë euro dhe shumica e tyre vijnë nga tregtia e drogës.